Me siguri e ke dëgjuar shpeshherë termin ‘Minimalizëm’. Sidomos kohët e fundit. Minimalizmi ndonjëherë merr një konotacion negativ. Kjo për shkak se njerëzit shpeshherë mendojnë për Idenë që krijon ky term, përpara Fitimit dhe avantazheve që procesi ofron. Duke menduar se duhet hequr dorë nga gjërat me vlerë, ata në fakt humbasin ose deformojnë plotësisht kuptimin e vërtetë të fjalës, ndaj ju ftojmë të lexoni artikullin e mëposhtëm për një shpjegim më konkret të këtij koncepti.
Çfarë është Minimalizmi?
Minimalizmi përcaktohet si një model ose stil jetese i bazuar në përdorimin e elementëve të thjeshta dhe të pakta për të krijuar një efekt maksimal në procesin e të jetuarit. Çfarë e bën akoma më interesant është proces se ai e ka zanafillën në art – me veprat artistike të krijuara vetëm me linja të thjeshta, pak ngjyra dhe vendosjen e kujdesshme të vijave.
Kohët e fundit, minimalizmi është bërë përfaqësues i një stili jetese që synon të largojë shpërqëndrimin nga të gjitha aspektet e jetës. Ideja qëndron në zotërimin e asaj që i shton vlerë dhe kuptim botëkuptimit jetës dhe eleminimin e pjesës tjetër të panevojshme. Duke larguar pjesën e tepër, koha dhe energjia që zotëron njeriu mund të shfrytëzohet për gjëra më të rëndësishme. Kur njerëzit dëgjojnë fjalën “minimalizëm”, mendojnë konceptet më të çuditshme. Ndoshta jetesa u duket më e mërzitshme, e frikshme dhe e pakuptimtë. Por në të vërtetë nuk është kështu. Ai imazh stereotip i një minimalisti nuk është plotësisht i saktë. Minimalistët janë kudo, janë njerëz të zakonshëm, madje mund të jesh edhe ti vetë një i tillë!

Mbaj pranë vetëm gjërat më të rëndësishme
Jo, nuk të duhet të jetosh në një apartament të boshatisur për të qenë minimalist!
Shtëpia apo apartamenti yt nuk ka pse të duket ndryshe vetëm se po eleminon disa produkte brenda tij. Madje, ka plot raste kur duket edhe më bukur! Ndoshta ka plot sende që ende si ke vënë re ose si ke vlerësuar mjaftueshëm. Ndoshta librat dhe fotografitë e preferuara dikur, tashmë janë zënë nga rrëmuja dhe sendet e panevojshme rreth teje. Sigurohu t’i eleminosh ose organizosh mirë ato dhe të zgjedhësh gjërat më me vlerë për ty. Do e shohësh se edhe “sytë” do të të falenderojnë!

Kurse Para
Kujt si pëlqen të kursejë para?
Pikërisht, të gjithëve na pëlqen! Mendoj se kjo është një nga arsyet që njerëzit tërhiqen nga minimalizmi. Kur do të kesh më pak, sigurisht edhe do blesh më pak. Më pak blerje=më pak shpenzime. Kjo, përveç të tjerave lidhet më tepër me forcën dhe mënyrën e të menduarit. Nëse ti ke një bluze të bardhë të cilën e pëlqen, por njëkohësisht të zë syri një tjetër të ngjashme me të, ky do të ishtë një shpenzim jo i domosdoshëm! Nëse dhoma jote duket “bosh”, ekziston mundësia e përdorimit të një mjeti funksional i cili mund të shërbejnë njëkohësisht edhe si dekorativ. Harxho para për gjërat që të pëlqejnë me të vërtetë. Nëse i do librat, ato jo vetëm do i shërbejnë qëllimeve të tua, por edhe do i japin dhomës një pamje më të këndshme. Sekreti qëndron të thyerja e zakoneve të blerjeve të pakuptimta. Edhe llogarisë tënde bankare i duhet pak dashuri!
Eleminimi i shpenzimeve të panevojshme të ndihmon të kuptosh prioritetet dhe të bindesh më tepër për shprehjen e famshme “Cilësia mbi sasinë”.
Nëse blen vetëm atë që të duhet ose e do vërtet, mund të investosh për një cilësi më të mirë. Mendoje pak! Një xhup që mund të kushtojë 20-mijë L të vjetra, mund të të zgjasë vetëm përgjatë dimrit! Por, një investim në një xhup më cilësor, 50-mijë L, do shpërblehet më shumë duke u veshur për një kohë më të gjatë. Nëse të përshtatet mirë, do ndihesh mirë.

Jeta është më praktike
Minimalizmi thjesht e bën jetën shumë më të lehtë! Tingëllon e habishme?
Mëngjeset e mia shpeshherë duken kështu. “Çfarë duhet të vesh sot?! Këtë e kam veshur herën e fundit…kjo është jashtë mode… Është më e thjeshtë të gjesh kombinimin e preferuar kur nuk po e kërkon atë mes 100 rrobave të tjera. Marrja e vendimeve është padyshim e lodhshme! Rutina e mëgjesit është më e lehtë kur e di se ato alternativa që ke përballë janë pikërisht opsionet e tua të zgjedhjeve. Plus, edhe organizimi i tyre është më komod dhe i lehtë!

Më shumë hapësirë
Kur largon sendet e tepërta, krijohet më tepër hapësirë në shtëpinë tënde. Dhuro rrobat që nuk i vesh, hidhi pajisjet teknologjike që nuk funksionojnë më, provo opsionin e shitjes për të gjitha produktet që zënë vend kot në dhomën tënde. Duke pasur më shumë hapësirë për të lëvizur, do ndjesh edhe një lloj lirie në kryerjen e aktiviteteve të përditshme, e ndoshta edhe mundësi për aktivitete për të cilat mund të kesh menduar se nuk ke vend mjaftueshëm!

Minimalizmi lejon rifokusimin
Kur ke shumë gjëra materiale rreth teje, detyrimisht humbet edhe fokusi në gjërat më të rëndësishme. Imagjino sa stresuese është të humbasësh sende me vlerë, të mos gjesh se ku ke lënë faturat apo çelësin e shtëpisë. Përqëndrimi në gjërat e rëndësishme siç janë njerëzit përreth teje, puna apo diçka tjetër me të cilën po merresh, do ishte tepër i vështirë dhe sfidues.
Më shumë energji
Pa të gjitha rrëmujat, e gjithë energjia që harxhohet duke u marrë me të do të jetë në dispozicion për aktivitete të tjera.
Gjëja më e mirë për minimalizmin është se përbën një opsion të lirë. Njerëzit mund të zgjedhin nëse duan ta jetojnë këtë stil jetese apo jo. Ata gjithashtu mund të zgjedhin sa larg duan të shkojnë gjatë këtij procesi.

Të gjithë janë ndryshe. Ajo që shumica e njerëzve do të kuptojnë është se sapo të fillojnë një udhëtim drejt minimalizmit, përvoja e tyre do të rritet dhe përfitimet do të bëhen më të mëdha dhe ata do të duan ta ndryshojnë jetesën e tyre akoma më shumë.
Nuk ka një përkufizim standard të asaj që duhet për të qenë një minimalist ‘zyrtar’, ashtu si një udhëtim personal është unik për çdo individ unik. Situatat tona të jetës janë të ndryshme, pasionet dhe përparësitë tona ndryshojnë. Nuk ka asnjë mënyrë të drejtë ose të gabuar për të qenë minimalist. Gjithçka ka të bëjë me të qenit i vetëdijshëm për atë që sjell më shumë lumturi dhe plotësueshmëri në jetën tënde!