Të gjithë kemi synime financiare. Këto janë të ndryshme në faza të ndryshme të jetës. Për shembull, planifikimi i daljes në pension mund të mos jetë prioritet për ju nëse jeni rreth të 20-ve, por është padyshim prioritet për një 40 vjeçar/e.
Nëse në moshën e rinisë angazhimet kryesore lidhen me shpenzime më të menaxhueshme të tilla si qiratë, shkolla, kujdesi për veten, veshjet, pajisjet elektronike, financa merr rol kritik atëhërë kur këtyre u shtohen pagesat e edukimit të fëmijëve, përfundimi i kredisë së shtëpisë e për më tepër krijimi i një balance midis disa detyrimeve!
Çfarë duhet të keni parasysh tani, për të shmangur stresin e menaxhimit të parave më vonë?
1. Shtëpia
Një shtëpi e sigurt është aspirata kryesore e çdokujt që preferon të ndërtojë një bazë komode dhe të pavarur për të ardhmen. Nëse ju blini një shtëpi me kredi përpara moshës 40 vjeç kjo ju jep një afat më të gjatë kohor të shlyerjes së saj, pa i rënduar financat tuaja në një periudhë tjetër më vonë. Pronësia e një shtëpie është qëllimi kryesor për shumë njerëz dhe kjo jo vetëm për të pasur një “çati mbi kokë”, por edhe sepse përbën një aset vlerësues për këdo. Nëse jeni në të 30-tat apo edhe më të rinj, është koha e duhur për të menduar seriozisht blerjen e një shtëpie.

2. Krijoni një fond emergjence
Në çdo fazë të jetës do ju duhet një fond emergjence. Ju mund të përpiqeni për ta arritur këtë qëllim që në të 20-at. Një fond emergjence duhet të përmbajë të paktën tre deri në gjashtë herë më shumë para se të ardhurat mujore. Ky shërben si një plan për t’ju ndihmuar të përballoni ndodhi të papritura të tilla si humbja e punës, një urgjencë shëndetësore, udhëtime urgjente etj. Ky fond nuk duhet nënvlerësuar! Është jetik për mirëqenien tuaj mendore, fizike dhe financiare, pasi ju forcon kundër vështirësive të jetës. Nëse nuk keni filluar krijimin e këtij fondi, filloni me një depozitë në të cilën mund të kontribuoni çdo muaj. Synimi juaj fillestar duhet të jetë që të merrni 3x pagën tuaj aktuale, nëse kjo është e mundur.

3. Sigurimin e Jetës dhe Shëndetit
Në të 40-tat, detyrimet tuaja familjare dhe financiare shumëfishohen. Ju përpiqeni t’i mundësoni familjes tuaj një jetë të rehatshme. Por, përveç detyrimeve të shumta ju duhet të mendoni edhe për sëmundjet dhe rastet e vdekjes. Prandaj, kushtojini vëmendje sigurimeve. Sigurimet shëndetësore dhe sigurimet e jetës do t’ju sigurojnë ju dhe familjen tuaj mbrojtjen financiare të nevojshme në rast urgjence. Një plan i sigurimit afatgjatë i ofron familjes norma financiare edhe në rast të vështirësive. Sigurimi shëndetësor do t’ju ndihmojë të merreni me inflacionin mjekësor që ndonjëherë i bën sfiduese shtrimet në spital dhe trajtimin e sëmundjeve kritike. Gjithashtu, përfitimi i sigurimeve para moshës 40 do të thotë që ju mund t’i merrni ato me kosto relativisht më të ulëta në kohën kur jeni ende të rinj. Nëse i keni kaluar tashmë disa nga këto hapa, duhet që në mënyrë periodike të bëni një vlerësim të shumës tuaj të siguruar për tu siguruar që përputhet me mënyrën tuaj më të fundit të jetesës dhe nevojat për të ardhura.
4. Planifikimi i daljes në pension
Ju normalisht nuk mendoni për planifikimin e pensionit në moshën 20 dhe 30 vjeç. Sidoqoftë, nuk keni mundësi ta shtyni më tej këtë planifikim ndërkohë që afroheni të 40-ave. Koha është thelbësore në investimin afatgjatë. Sa më shumë që vononi një investim afatgjatë, aq më e vështirë bëhet arritja e qëllimit tuaj. Prandaj, për të shmangur ankthin financiar në të 40-at dhe 50-at, jepini vetes një shtysë që në moshë më të re. Deri në të 30-at, duhet të keni tashmë disa para të mbyllura në investime afatgjata në mënyrë që të vazhdojë të rritet shpejt në vitet e mëvonshme, duke ju siguruar lehtësimin financiar në “vitet e arta”.

5. Plani për arsimimin e fëmijëve tuaj
Arsimi i lartë nuk është i lirë. Prandaj, duhet të jeni të përgatitur për të financuar nevojat afatgjata të fëmijëve. Ndërsa ju i afroheni të 40-ve, fëmijët tuaj i afrohen fillimit të universitetit. Ju duhet të gjeni një mënyrë për të balancuar këto qëllime komplekse financiare dhe çdo hap që do t’ju duhet për t’i arritur ato.
Përveç qëllimeve thelbësore të mësipërme, mosha 40 është gjithashtu mosha në të cilën duhet të keni krijuar llogarinë e duhur të investimeve për veten.

6. Krijoni dhe Mirëmbani Buxhetin
Deri në moshën 40-vjeçare, duhet të keni dhe të ndiqni një buxhet monetar. Mos u shqetësoni nëse këtë e keni provuar dhe dështuar më parë, provojeni sërish.
Zgjidhni stilin tuaj të preferuar të kursimit dhe sfidoni veten. Mos harroni, ju mund të bëni edhe gabime. Nëse shpenzoni më shumë nga ç’duhej, përpquni të kuptoni arsyet pse tejkaluat planin fillestar. Si mund ta rregulloni këtë? Ndoshta do ju duhet të shpenzoni akoma më pak, të ndryshoni diçka në rutinën tuaj apo të gjeni një zgjidhje të mesme. Të gjtiha këto duan kohën e duhur për tu menduar dhe menaxhuar. Një buxhet është thelbësor për qëllimet financiare që duhet të arrini para moshës 40 vjeç.

7. Paguani kreditë
Nëse keni kredi, mundohuni ti shlyeni para moshës 40, pasi më vonë do ju duhet të përballeni me të tjera angazhime. Gjeni mënyrën që funksionon më mirë për ju.

8. Investoni në Veten tuaj
Investimi në vetvete është një detyrë e përjetshme, por një gjë që duhet ta zotëroni deri në moshën 40 vjeç. Ndoshta keni kaluar 10 ose 20 vitet e fundit duke u përqëndruar tek të tjerët ose në përparimin e karrierës. Tani është koha të përqendroheni te ju.
Ndiqni hobi dhe gjërat që ju bëjnë të lumtur, lexoni libra, ose thjesht bëni një shtëtje. Mendoni për mendjen dhe trupin tuaj, siç mendoni për financat tuaja. Sa më shumë të lexoni, aq më të kujdesshëm do jeni në vendimet që merrni. Sa më i shëndetshëm të jeni, aq më pak probleeme mjekësore do të keni dhe aq më shumë mund të shijoni jetën.
Këtë periudhë mund ta përdorni edhe për të mësuar një aftësi të re. Asnjëherë nuk e dini se çfarë vjen me moshën, por nëse keni aftësi të shumta, pasione dhe ëndrra, do të jeni më të aftë të trajtoni ato që jeta ju sjell.
Këto qëllime financiare që duhet të arrini para moshës 40 vjeç janë të lehta për t’u zbatuar në jetën tuaj pa marrë parasysh në çfarë faze ndodheni tani. Nëse nuk jeni të sigurt, filloni me hapa të vegjël.
A keni një sasi parash të kursyera? Nëse jo, filloni të krijoni një plan për të. Nëse po, kaloni në një hap tjetër. Shikoni fondin e emergjencës me përparësi. A e keni një? Nëse jo, filloni tani. Realizoni listën e pikave financiare që ju duhen për një jetesë të shëndetshme dhe do arrini synimet që i duhen çdokujt në moshën 40 vjeç!