Shqiptarët shpenzojnë 50 përqind të të ardhurave të tyre për tu ushqyer, krahasuar me qytetarët evropianë, të cilët shpenzojnë vetëm 12.3% të të ardhurave të tyre. Sipas studimeve, në vendet e varfra njerëzit shpenzojnë më shumë para për ushqim dhe kështu detyrohen të heqin dorë nga pushimet, udhëtimet, argëtimet dhe kënaqësitë e tjera, ose ti kufizojnë ato.
Siç u përmend më lart, shqiptarët ndryshojnë shumë nga stili mesatar i jetesës evropiane, por ata janë konkurrentë të fortë kur bëhet fjalë për veshjen dhe modën.
Sipas revistës Monitor, shumica e vendeve të BE shpenzojnë rreth 23.8% të të ardhurave për familjen, furnizimin me ujë dhe shpenzime të energjisë elektrike, 13.1% për transportin, 12.3% për ushqimin, 9% në kulturë dhe rekreacion, 8.2% për të ngrënë jashtë dhe 5.1 % në veshje dhe këpucë.
Pra, është e vërtetë! Një pjesë e madhe e shpenzimeve shkon për tu ushqyer, kjo ose me anë të blerjeve ose duke ngrënë në restorante. Prandaj sot, më anë të këtij artikulli do ju listojmë disa mënyra të thjeshta se si mund të ushqeheni brenda buxhetit.
Shmangni dyqanet me çmim të lartë
Një nga mënyrat më praktike të kursimit është shmangia e blerjeve në dyqane të shtrenjta. Në vend të kësaj mund të gjenden alternativa më ekonomike. Për shembull, të njëjtat produkte që mund të blini në një supermarket mund ti gjeni edhe në një treg, më çmim më të arsyeshëm. Provojeni këtë metodë dhe llogarisni kursimin total, për të parë nëse funksionon për ju.

Kufizoni blerjen e produkteve organike
Shumë ekspertë thonë se nuk ka prova të mjaftueshme që provojnë se ushqimet organike janë më të shëndetshme sesa ato jo-organike. Përveç kësaj, ushqimi organik shpesh është më i shtrenjtë – ndonjëherë shumë më i shtrenjtë se ai jo organik. Megjithatë, nuk keni pse ta eleminoni atë plotësisht. Ju mund të gjeni opsione më të lira, ose të alternoni disa kategori ushqimesh, në mënyrë që edhe shpenzimet të mos jenë jashtë limitit.

Përdorni kartat e klientëve
Ndoshta mundësitë e zgjedhjeve do jenë të limituara, por asnjëherë nuk është keq të përfitoni ulje gjatë blerjeve tuaja. Në të kundërt mbledhja e pikëve të vazhdueshme ju jep mundësi për blerje falas ose për përfitimin e një produkti falas. Në të dyja rastet ju kurseni para! Prandaj, herës tjetër që shkoni në një supermarket sigurohuni të regjistroheni për të përfituar kartën e klientit.

Mos blini sasi të mëdha ushqimi
Kini kujdes të blini vetëm sasinë që do të konsumoni – nëse blini më shumë seç duhet, ushqimi mund të prishet ose të skadojë. Kushtojini vëmendje vakteve që gatuani çdo javë dhe rregulloni listen ushqimore në përputhje me konsumin.

Përgatitja e vakteve paraprakisht
Gatimi i vakteve të shëndetshme kërkon kohë. Një metodë e përdorur shpesh në ditët e sotme është parapërgatitja e vakteve për ti pasur gati përgjatë javës. Kjo ju lehtëson procesin e gatimit, por edhe ju ndalon të konsumoni vakte të pashëndetshme, të cilat shpeshherë janë tunduese, por edhe më të lehta për tu konsumuar pas një dite të lodhshme. Ju mund të përgatisni perimet, frutat apo produktet të cilat nuk prishen dhe ti ruani në frigorifer për ta pasur të lehtë gatimin e tyre, ose mund ti gatuani plotësisht për ti konsumuar më vonë. Gjithashtu, sigurohuni të mbani të organizuar frigoriferin, në mënyrë që të dini gjithnjë me saktësi çfarë produktesh keni.

Kujdes me ushqimet e pakonsumuara
Ka njerëz të cilët preferojnë dietat e larmishme në përditshmërinë e tyre. Por, hedhja e ushqimeve të pakonsumuara është një hap i gabuar për procesin e kursimit. Nëse nuk ju pëlqen të konsumoni të njëjtat ushqime, përpiquni të blini sasi më të vogla produktesh në mënyrë që ato të mos mbeten tepër.
